Në përfundim të mbledhjes së qeverisë, ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj, komunikoi për mediat vendimet e miratuara.
Ajo u shpreh se qeveria miratoi në parim marrëveshjen për sigurimet shoqërore me Poloninë, e cila e çon në 17 numrin e marrëveshjeve të nënshkruara në këtë fushë.
“Ministria e Ekonomisë dhe Inovacionit sot kaloi një projektvendim, që është i rëndësishëm. Është miratimi në parim i marrëveshjes për sigurimet shoqërore me Poloninë, e cila e çon numrin e marrëveshjeve të nënshkruara në 17. Kjo është një politikë që prej vitesh ka filluar dhe është intensifikuar nga ana e qeverisë, pasi është thelbësore në mbrojtjen e të drejtave të punës.
Ka qenë një problem që ndër vite është mbartur. Ne kemi firmosur dhe ratifikuar marrëveshjen me Italinë. Numri i shqiptarëve që jetojnë dhe punojnë në Itali është shumë i lartë. Jemi duke vazhduar me intensitet të lartë. Janë katër marrëveshje që janë duke u negociuar dhe shumë shpejt mendojmë se do t’i sjellim në Këshillin e Ministrave për t’u miratuar dhe më pas për t’u firmosur.”– tha Ibrahimaj.
Ndërsa ministri i Financave, Petrit Malaj, tha se janë propozuar ndryshime për 3 ligje të sistemit financiar që synojnë modernizimin dhe përafrimin me legjislacionin e BE.
“Sot, në mbledhjen e Këshillit të Ministrave miratuam disa ndryshime të rëndësishme që prekin ligjin ‘Për shërbimet e pagesave’, ligjin ‘Për sistemin e pagesave’ si dhe ligjin ‘Për bankat në Republikën e Shqipërisë’. Të tre projektligjet e propozuara i shërbejnë, jo vetëm modernizimit të mëtejshëm të sistemit financiar, por edhe përafrimit me direktivat përkatëse të Bashkimit Europian. Nga ana tjetër, këto ndryshime sjellin përfitime konkrete edhe për qytetarët dhe biznesin, përmes reduktimit të kostove të shërbimeve financiare, rritjes së sigurisë dhe efikasitetit të sistemit financiar,
forcimit të mbrojtjes së konsumatorëve dhe nxitjes së konkurrencës dhe inovacionit në treg. Ndaj, kjo paketë projektligjesh do të shërbejë, si për zhvillimin e tregut financiar, ashtu edhe për transformimin e mëtejshëm të ekonomisë”-, tha Malaj./ Top Channel
