Rrënoja, objekte të djegura, mure të shembura, 10 persona të asfiksuar dhe një viktimë është gjithçka që la pas shpërthimi i ndodhur pasditen e kësaj të mërkure në pallatin pesë katësh në Elbasan.
Siç kemi raportuar dhe ne gjatë pasdites së sotme, disa kate të pallatit janë shembur mbi njëri-tjetrin, ndërsa dëmet materiale janë të konsiderueshme. Për shkak të flakëve që përfshinë sot pallatin, ndërtesa u bë e pabanueshme, duke lënë në qiell të hapur dhjetëra familje.
Viktima e shpërthimit të rëndë mësohet se është 82-vjeçarja Hatixhe Berisha, siç mund ta shikoni dhe në foton e mëposhtme.

Burime për mediat bëjnë me dije se e moshuara jetonte në shtëpi me djalin dhe familjen e tij. Djali i saj, sapo ka dëgjuar zhurmën, ka hyrë në shtëpi duke marrë fillimisht fëmijët e mitur dhe të shoqen. Pasi u rikthye për të shpëtuar nënën, shkalla e pallatit u shemb duke e zënë poshtë atë.
Ndërkaq një nga banorët e pallatit, ka rrëfyer momentet dramatike që përjetoi së bashku me familjen e tij, pasi një pjesë e mirë e ndërtesës u shemb duke i bllokuar atij daljen nga pallati.
I tmerruar nga situata që përjetoi gjatë ditës së sotme, banori shprehet se në momentin e shpërthimit dera e ballkonit e goditi në kokë, dëgjonte të birin që kërkonte ndihmë, pa pasur mundësi të shkonte pranë tij.
“Më ra dera e ballkonit në kokë. Dëgjova tim bir të bërtiste ‘O ba, të lutem më ndihmo!’ dhe të mos kishe mundësi ta ndihmoje. U hodha nga kati i dytë. Nuk di asgjë çfarë ka ndodhur, sepse të gjithë në atë moment shihnin punën e vet. Vetëm di që dola në ballkon dhe thirra ‘Merrni zjarrfikësit’”, ka rrëfyer ai.
Djali i tij arriti të shpëtonte falë ndërhyrjes së bashkëshortes së tij, e cila mundi të hapte derën e bllokuar.
“Shpërthimi ka qenë shumë i fortë. Soleta ra mbi katin tonë, zuri derën dhe nuk dilja dot të nxirrja djalin. Fatmirësisht erdhi gruaja, hapi derën dhe doli djali”, është shprehur ai.
Po ashtu mësohet se 12 nga 15 familje banonin në pallatin që u shemb sot janë strehuar në një konvikt. Ndërsa tre prej tyre, prej vitesh jetonin në emigrim.
Dyshime e para të shpërthimit të fortë që hodhi në tokë pallati pesë katësh në Elbasan janë se ngjarja ndodhi nga shpërthimi i dy bombolave të gazit. Ndërkaq bëhet me dije se po vijojnë kërkimet për gjetjen e një 69-vjeçari që rezulton i humbur prej orëshm, e dyshohet se ka ngelur nën rrënoja.
