Një zjarr i përmasave të konsiderueshme ka rënë mbrëmjen e kësaj të enjteje në një pallat në rrugën “Ali Demi” në Tiranë, duke shkaktuar panik tek banorët e zonës.
Sipas informacioneve paraprake, flakët kanë përfshirë katin e parë të godinës në rrethana ende të paqarta, ndërsa zjarri është përhapur me shpejtësi brenda ambienteve të pallatit.
Si pasojë e zjarrit, një i moshuar invalid ka ndërruar jetë. Dyshohet se viktima ka humbur jetën për shkak të asfiksisë nga tymi i shkaktuar nga flakët.
Në vendngjarje kanë mbërritur menjëherë ekipet e zjarrfikëses, të cilat janë angazhuar për neutralizimin e flakëve dhe për të shmangur përhapjen e mëtejshme të zjarrit në godinë.
Po ashtu në zonë janë dislokuar edhe ambulanca për çdo rast emergjence, ndërsa autoritetet pritet të sqarojnë rrethanat e plota të ngjarjes.
